Kalendari i ri i ndeshjeve, vetëm pas datës së nisjes

Javët kalojnë, ndërsa futbolli shqiptar ende nuk ka startuar sezonin në asnjë kategori. U mendua se takimi mes Presidentit të FSHF-së, Duka dhe Kryeministrit Rama zgjidhi ngërçin.

“Sot kam pasur një takim me Kryeministrin dhe më premtoi se do e marrë në konsideratë. Vetëm kaq se s’mund të bënte ligj në tavolinë”, deklaroi Armand Duka më 23 Tetor.

Por bojkoti vazhdon pasi Liga do të bindet vetëm në rast të një lëvizjeje konkrete të qeverisë për Ligjin e Sponsorizimit. Afati është e enjtja e kësaj jave, për të marrë një përgjigje nga ekzekutivi apo organet e tij. Më pas, me gjasë të premten krerët e Kategorisë Superiore do të mblidhen sërish.

Ndërkaq janë disa skenarë të ndryshëm për fillimin e futbollit. Të gjithë presin të nisë që këtë javë, ose të paktën javën e ardhshme, dhe deri në ndërprerjen në mes të Nëntorit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares të jenë luajtur 2 ose 3 javë. Për momentin është vetëm kalendari i miratuar në sektorin e garave, por nuk ka plan B me data të sakta, sepse asnjë nuk është në gjendje të hartojë, në mungesë të një date për fillimin.

Veprime konkrete do të ketë vetëm pasi të hapet drita jeshile për kërkesat ekonomike. Skenari i dytë është që kampionati të nisë pas 20 Nëntorit dhe deri në Krishtlindje, duke luajtur edhe në mesjavë, të mbarojë një fazë në Superligë.

Skenari më ekstrem është që kampionati të nisë në Janar. Kjo kërkon ndërhyrjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për të miratuar ndryshimet. Superliga do të luhej me dy faza, 18 javë në total, ndërsa Kupa e Shqipërisë me tek ndeshje, sipas modelit anglez të Kupës së Ligës.

Tv Klan