Kampioni i peshave të rënda në WBC, Tyson Fury i ka bërë thirrje qytetarëve britanikë që të qëndrojë në shtëpi në mënyrë që të ngadalësojë shpërthimin e koronavirus.

Boksieri zgjodhi rrjetet sociale për t’i bërë jehonë urdhrin të dhënë nga kryeministri i vendit, Boris Johnson, ndërkohë që nuk munguan as mesazhet për të bërë sa më shumë stërvitje, brenda mureve të shtëpisë.

“Përshëndetje të gjithëve. Shpresoj që të gjithë janë mirë. Ju kërkoj që të qëndroni të sigurtë dhe brenda për shkak të virusit. Pasi dëgjova fjalët e kryeministrit më ka kapur frika dhe mua, por nëse qëndrojnë në shtëpi dhe larg çdo kontakti do të jemi të sigurtë. Le ta luftojmë këtë virus së bashku si komb, si familje dhe si ekip, dhe të bëjmë më të mirën për t’i ndihmuar të tjerët të mos infektohen”, tha Fury.

Fury shtoi se shtëpia e tij do të kthehet në një minipalestër, ku do të vijojë të trajnohet gjatë 3 javëve të ardhshme. Aktualisht, britaniku nuk ka caktuar një datë të re për sfidën e radhës, që sipas të gjitha gjasave do të jetë ndaj rivalit të tij në dy duelet e fundit, Deontay Wilder./tvklan.al