“Mbështetej nga administrata Trump, nëse Kosova dhe Serbia binin dakord”

John Bolton, ish-këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, i renditur tashmë në radhët e kundërshtarëve të tij politikë thotë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë propozim i tij.

Në vazhdim të replikave me Richard Grenell, të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Prishtinë-Beograd, Grenell rrëfen në një intervistë për median BIRN në serbisht, se politika e administratës Trump ka qenë mbështetja e çdo propozimi të përkrahur nga të dyja palët.

“Pyetja që mu bë mua dhe përgjigja që dhashë ishte sipas politikës së administratës, që nëse për palët rishikimi i kufijve territorialë kishte kuptim si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme, Shtetet e Bashkuara do ta mbështesnin”.

Bolton shprehet se europianët nuk kishin sesi ta kundërshtonin shkëmbimin e territoreve, nëse liderët e dy vendeve bien dakord, por thotë se frika se ky do të bëhej model për ndryshimin e kufijve edhe në vende të tjera është e kuptueshme. Ndërsa në një intervistë për mediat kosovare, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian Viola von Cramon-Taubadel akuzon Richard Grenell se u përpoq të anashkalonte BE-në në dialog.

“Grenell dëshironte ta anashkalonte BE-në dhe qeverinë e dikurshme demokratike (Qeverinë Kurti). Nëse shihni se si është shprehur, do të kuptoni se ai nuk synonte të ndihmonte fare BE-në”.

Von Cramon thotë se Kosova meriton liberalizimin e vizave, por kjo çështje sipas saj nuk lidhet me dialogun.

Tv Klan