Akuzat në librin e ish-këshilltarit të Presidentit amerikan

Donald Trump kërkoi ndihmën e Kinës për t’u rizgjedhur President i Shteteve të Bashkuara. Akuza vjen nga ish-këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, i cili në librin që pritet të publikojë së shpejti shkruan për kërkesën që Trump ia ka bërë Shi Xhinpingut në samitin e G20-s në Japoni, Qershorin e kaluar.

“Në mënyrë mahnitëse, Trump e ktheu bisedën tek zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të vitit 2020, duke përmendur tërthorazi kapacitetin ekonomik të Kinës, e duke iu lutur Shi-së të bëjë të mundur që ai të fitojë zgjedhjet”.

Në reagimin e tij, Presidenti Trump akuzoi Boltonin për shkelje ligji me publikimin e informacioneve të klasifikuara. Shtëpia e Bardhë ka nisur një proces penal ndaj Boltonit, duke kërkuar nga gjykatat të bllokojnë publikimin e këtij libri.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e konsideroi si një njeri të shpëlarë, ish-këshilltarin e tij që dha dorëheqjen në Shtator 2018, 5 muaj pas emërimit. Libri 577 faqësh i titulluar “Dhoma ku ndodhi” del në shitje në 23 Qershor.

Bolton konsiderohej si krahu i hekurt i Presidentit Trump, si arkitekti i tij i Politikës së Jashtme. Ai ishte ndër të paktët zyrtarë të Washingtonit, i gatshëm për të mbështetur shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Tv Klan