Gordana-Jankullovska

Se sa i urren ish – Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska shqiptarët, kjo duket qartë në përgjimet telefonike, të publikuara së fundi nga kreu i opozitës maqedonase.

Në konferencën e rradhës për shtyp kreu i LSDM, Zoran Taev publikoi “Bombën 32”, një seri telefonatash të Jankullovskës.

Në një bisedë me shefin e kabinetit të Kryeministrit Gruevski, Martin Protuger, Jankullovska shprehet se me shqiptarët nuk ka bashkëjetesë. Kërkon që me ta, të qërohen hesapet njëherë e përgjithmonë, përmes një strategjie të veçantë. Por pranon se i mungon konsensusi kombëtar.

Në këtë përgjim Jankullovska tregon planet e saj ndaj shqiptarëve. Ajo thotë se, “Nëse ne tregohemi të fuqishëm për një orë do t’i zhdukim, mirëpo puna është që të mos tregojmë tani muskujt”.

Në një tjetër bisedë me bashkëshortin e saj, Vllatko Ilievski, ajo u referohet shqiptarëve me termin nënvlerësues ‘SHIPTARISHTAT’, për të cilët thotë se e nervozojnë dhe i duken budallenj.

Zaev publikoi edhe një përgjim, mes Jankullovskës dhe Zv/Ministrit të Brendshëm, Ivo Kotevski. Aty jepen detaje për vrasjen e dy shqiptarëve në Gostivar nga një polic maqedonas. Të dy thurin plane për ta bërë sa më tragjik këtë rast, në dëm të shqiptarëve. Jankullovska sërish ofendon shqiptarët, ndërsa Kotevski rrëfen se si maqedonasit dëshirojnë që të gjithë shqiptarët të kenë të njëjtin fat.

Skandalet e njëpasnjëshme kanë shtuar pakënaqësinë ndaj Kryeministrit Gruevski. Këtë e shpreh qartë edhe pyetja, me të cilën i drejtohet gazetari Sashe Ivavovski kreut të qeverisë maqedonase:

“A e dini kuptimin e fjalës turp, dinjitet dhe moral? Kur një politikan normal në një shtet normal nuk mund t’i çojë nëpër mend e jo më të kryejë veprimet tuaja?” .

Pyetja i referohej përplasjes së armatosur në Kumanovë, fundjavën e kaluar, ku humbën jetën 22 persona, mes të cilëve 8 pjesëtarë të policisë dhe 14 pjesëtarë të një grupi të armatosur, të vetëquajtur UÇK. Sashe Ivanovski i njohur nga kolegët në Shkup si Sasho Politiko, drejton faqen online maktel.mk.

Tv Klan