Në Greqi vazhdojnë tensionet pas largimit nga qeveria të ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias. Qeveria greke dje u përpoq të qetësonte ujërat duke argumentuar se nuk ka arsye të vërtetë të dorëheqjes së Kotzias, duke e cilësuar të pakuptueshëm vendimin e tij për të lënë postin. Me këtë deklaratë, zyra e Kryeministrit grek tentoi indirekt të qetësonte tensionet edhe me Nikos Kotzias. Mirëpo, ky i fundit reagoi ashpër pas këtyre deklaratave. Ai kërkoi që Kryeministria të bëjë publike për mediat dhe për qytetarët letrën e plotë të dorëheqjes së tij, ku jep edhe arsyet e largimit nga posti i ministrit të Jashtëm të Greqisë, pozicion që tashmë e mban vetë Kryeministri Alexis Tsipras.

Sikurse u bë publike në mediat greke ditën e dorëheqjes së tij, Kotzias foli përsëri për fondet sekrete të Ministrive. Ai tha se do të ndërmarrë iniciativa me bashkëpunëtorë e kolegë të tij për fondet sekrete të këtyre institucioneve. Në debatin që pati me ministrin e Mbrojtjes Panos Kamenos, fondi sekret ishte një pikë ku ai ngulmonte. Ish-ministri i kërkoi Kryeministrit Tsipras që të zbatojë të njëjtin ligj për të gjitha Ministritë që aktualisht zbatohet vetëm për Ministrinë e Jashtme, në lidhje me fondet sekrete, që mbulojnë shpenzime ekstra dhe përdoren për të financuar instrumentë dhe persona të huaj për të promovuar interesat kombëtare të Greqisë.

Ky është njëri problem brenda qeverisë greke, argumentoi Kotzias, kurse problemi i dytë është ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos, që është edhe kreu i partisë aleate në koalicion. Sipas ish-ministrit Kotzias,

“Kryeministri Tsipras i është dorëzuar plotësisht ministrit Kamenos

“. Konflikti me ministrin e Mbrojtjes nisi pikërisht për marrëveshjen e emrit të Maqedonisë. Kotzias thotë se ministri i Mbrojtjes nuk ka asnjë rol në politikën e Jashtme të vendit dhe nuk duhet të ndërhyjë, pasi kjo temë është ekskluzivitet vetëm i Kryeministrit dhe Ministrisë së Jashtme. Ai theksoi gjithashtu se qëndrimet e Kamenos për çështjet e politikës së jashtme të Greqisë, kanë gjasa që të dalin nga linja kombëtare.

/tvklan.al