“Bomba me sahat”, mbi 10 të infektuar për të dytën ditë rresht në Shkodër



“Bomba me sahat”, mbi 10 të infektuar për të dytën ditë rresht në Shkodër

11:56 17/04/2020

Nga 21 raste që u regjistruan gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, 11 i përkisnin vetëm Shkodrës. Në fakt, kjo është e dyta ditë rresht që qyteti verilindor regjistron mbi 10 të infektuar. Të enjten, në Shkodër u konfirmuan me Covid-19 12 raste.

Qytetin verilindor e pati numrin e të konfirmuarve mbi 10 për herë të parë më datë 3 Prill. Atë ditë u konfirmuan 12 të infektuar duke e çuar numrin në 22. Kaq mjaftoi dhe Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat e konsideroi Shkodrën një “bombë me sahat”

Por që prej atij momenti, numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në mënyrë të frikshme. Deri më sot, 17 Prill, përgjatë dy javëve janë shënuar 72 raste të reja, duke e çuar në total në 94. Shkodra bëhet qyteti i dytë më i prekur nga Covid-19 pas Tiranës që ka mbi 245 raste. Më pas vjen Durrësi me 42 të infektuar.

Rastet e shumta në Shkodër kanë krijuar edhe një debat në lidhje me numrin e testimeve. Dy ditë më parë, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive Silva Bino tha për Tv Klan se “Hetimi epidemiologjik në Shkodër ka funksionuar më së miri dhe këtë e tregon fakti se 60% e rasteve të Shkodrës janë asimptomatike”.

Më herët përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë kanë treguar se numri i lartë i të infektuarve vjen si pasojë e mosrespektimit të masave të distancimit social.

Edhe sot, drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, i bëri thirrje qytetarëve të vijojnë me respektimin e distancimit social jo vetëm në Shkodër, por kudo në Shqipëri.

“Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19”, tha ajo./tvklan.al




Të ngjashme