Policia e New York arriti që të shkatërronte me sukses një zarf brenda së cilit kishte bombë, të gjetur në shtëpinë e biznesmenit milioner George Soros.

Pakoja u zbulua në një kuti postare nga një prej punonjëset e Sorosit, e cila njoftoi autoritetet përpara se ta çonte atë në një zonë me pemë. Incidenti, sipas BBC, ndodhi pasditen e së hënës dhe po hetohet nga FBI.

Kritikat ndaj Soros janë bërë të zakonshme nga grupet e djathta, për shkak të mbështetjes që ai ka dhënë për kauza liberale. Biznesmeni mësohet se nuk ndodhej në shtëpinë e tij në Bedford, në Westchester County në kohën e incidentit.

Kush është Soros?

Biznesmeni hungarezo-amerikan e fitoi pasurinë e tij falë spekulimeve inteligjente financiare.

Ai ka shpenzuar miliarda në projekte për të drejtat e njeriut dhe në sipërmarrje liberale e demokratike nëpër botë dhe është një prej donatorëve më të mëdhenj të Partisë Demokratike në SHBA.

Në të shkuarën, ai ka mbështetur fushatat elektorale të Barack Obama dhe Hillary Clinton, ndërsa presidentin amerikan Donald Trump e ka cilësuar si “uzurpues”.

Ekzistojnë disa website me teori konspirative nga të djathtët në Amerikë, që pretendojnë se Soros qëndron pas disa ngjarjeve të kohëve të fundit në SHBA, si dhe pas krizës globale.

Ata e kanë akuzuar si të përfshirë në rekrutimin e protestuesve kundër Trump, në marshimin e grave në Mars dhe madje edhe si organizator i dhunës në Charlottesville.

Soros është kthyer gjithashtu në personin më të sulmuar në mbarë botën nga nacionalistët dhe populistët, të cilët e akuzojnë atë si një mjeshtër manipulues të demokracisë. 

/tvklan.al