Në 2021 nuk lejohet regjistrimi i individëve të rinj në ankand

Nga Janari i vitit të ardhshëm individët, të cilët duan të investojnë paratë e tyre në bono thesari, nuk do t’i blejnë ato pranë Bankës së Shqipërisë, por vetëm në bankat private.

Banka e Shqipërisë ka vendosur që të mbyllë këtë aktivitet të saj, i cili është tipik për një bankë tregtare, dhe të lejojë që të jenë bankat e tjera ato që mund të shesin bonot e qeverisë.

Mbyllja e këtij aktiviteti do të bëhet me dy faza: nga viti i ardhshëm sistemi i bonove nuk do të regjistrojë individë të rinj dhe në janar të vitit 2022 edhe ata që janë të regjistruar në këtë sistem do të mund ta përdorin këtë mënyrë investimi vetëm përmes bankave të nivelit të dytë.

Nisma për ushtrimin e këtij aktiviteti nga privati është bërë nën asistencën e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët ngrinin si shqetësim se në shumë raste ankandet e qeverisë për të marrë borxh nuk arrijnë të marrin të plotë shumën që kërkohet.

Tv Klan