Mbrojtësi ka përparuar në bisedime me klubin gjerman

E ardhmja e Leonardo Bonuçit duket se do të marrë zgjidhje shumë shpejt.

Mbrojtësi i Juventusit, i përjashtuar nga ekipi në nisje të sezonit për shkak të zgjedhjeve teknike, është afër transferimit te Union Berlinit.

Sipas Sportmediaset, futbollisti ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit gjerman dhe duket i prirur për të pranuar propozimin e klubit që do t’i jepte mundësi të luante në Ligën e Kampioneve, e gjithashtu çështja financiare duket se po shkon drejt zgjidhjes.

“Zonja e Vjetër” është gati që të kontribuojë për rrogën e futbollistit duke paguar një pjesë në formën e bonusit të largimit.

Unioni ofron 2 mln euro në sezon, që mund të shkojnë në 3.5 mln euro me ndihmën e klubit bardhezi.

Kontrata e Bonuçit me Juven përfundon në verën e 2024-ës.

Lojtari ishte përpjekur që të qëndronte, por trajneri Alegri dhe klubi nuk kishin bërë prapa kthehu në qëndrimet e tyre.

Pas 12 sezonesh e 502 ndeshjesh me fanellën bardhezi kapitulli juventin për 36-vjeçarin po shkon drejt mbylljes.

Klan News