“Vlera e siguracionit në bazë të aksidenteve të jetë me detyrim”

Implementimi i sistemit Bonus-malus, i cili përcakton çmimin e siguracionit të automjetit në bazë të historikut të numrit të aksidenteve, po mban prej vitesh peng miratimin e Ligjit të ri për Sigurimin e Detyrueshëm të Makinave.

Gjatë hartimit të draftit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e bëri këtë sistem të detyrueshëm, duke ndjekur edhe modelin që zbatohet në vendet e tjera të Europës, ndërsa në momentin që nisma u propozua nga Ministria e Financave, ky nen ndryshoi duke ia lënë në dorë kompanive të sigurimit të zgjedhin nëse duhet të zbatojnë apo jo sistemin. 

Por deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese nuk pranuan ta votojnë këtë pikë.

“I bie që për një kompania ta bëjë me bazë aksidenti dhe të përfitojë më shumë, për një tjetër në bazë të kubikëve. Standardin e vendosim ne, nëse nuk e bëjnë dot, atëherë t’i lemë periudhë tranzitore. Nëse e zgjedhin ato, atëherë përse po e bëjmë ligjin?”

Komisioni i kërkoi Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që të detyrojë me ligj kompanitë e sigurimit, të ofrojnë shërbim edhe për kontrata më të shkurtra për automjetet dhe jo vetëm 1 vjeçare, siç ndodh aktualisht.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese do të mblidhet sërish për të diskutuar këto dy nene, në mënyrë që të implementohet në të ardhmen sistemi Bonus-malus dhe të ofrohet shërbimi për kontrata siguracioni me afat më të shkurtër.

Tv Klan