Klubet përfitojnë 3659 Euro në ditë për lojtarët e grumbulluar në kombëtare

Turneu i Ligës së Kombeve është konsideruar i tepërt nga shumë futbollistë të cilët duan më shumë ditë pushimi. Kjo ka shtyrë UEFA-n që të publikojë edhe bonuset që do të marrin klubet për lojtarët e tyre që bëjnë pjesë në ekipet kombëtare.  Një total prej 240 milionë Eurosh do të shpërndahen nga organi më i lartë i futbollit europian.

Nga këto, një shumë prej 100 milionë Eurosh do të jetë për pjesëmarrjen në Ligën e Kombeve të edicionit 2020-2021, si ajo që është aktualisht në zhvillim dhe përfundon në vitin 2023. Të ardhurat do të llogariten në bazë të një numri lojtarësh dhe ndeshjesh. Ata që përfitojnë do jenë klubet që kanë futbollistë të grumbulluar për ndeshje, ndërsa bonus do marrin klubet që i përkasin një shoqate anëtare të UEFA-s.

Sa i përket mekanizmit të shpërndarjes, ai pothuajse nuk ndryshon në krahasim me edicionin e mëparshëm. 100 milionët do të jenë për 340 ndeshje të dy edicioneve që UEFA ka organizuar deri tani në Ligën e Kombeve, si në fazën kualifikuese deri në finale.

Pas përllogaritjeve, sipas disa kritereve të përcaktuara nga ‘qeveria’ e futbollit evropian, bonusi për ndeshjet e Ligës së Kombeve do të jetë 3659 Euro në ditë për çdo lojtar. Miqësoret që skuadrat mund të luajnë në periudhën 2020-2024, paralelisht me Ligën e Kombeve, nuk përfshihen në shpërblimin e UEFA-s. 

Klan News