Bora e parë zbardhi çatitë në qytetin e Peshkopisë. Nuk mbahet mend kurrë që dimri në Dibër të nisë me 27 Janar.

Dimri i këtij viti ka qenë i pazakontë, pasi deri sot reshjet e borës nuk kishin prekur qytetin e Peshkopisë, i cili  është 660 metra mbi nivelin e detit.

Gjatë natës ka pasur reshje të dobëta bore të cilat vetëm sa kanë zbardhur çatitë, ndërsa në zonat malore mbi 800 metra trashësia shkon deri në 10 centimetra.

Temperaturat kanë rënë në 0°, por pa shkaktuar probleme. Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme pa probleme.

Rruga e Arbrit është e kalueshme pasi gjatë natës, është kriposur dhe në gatishmëri janë 3 borëpastruese në bypass-in e Qafës së Murrizit.

Aksi Peshkopi-Kukës është i kalueshëm, ndërsa aksi Ura e Çerenecit-Librazhd i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë. Rrugët rurale që lidhin qytetet me qendrat e njësive administrative janë të kalueshme.

Ka disa fshatra që kanë vështirësi, ku kalimi bëhet i detyrueshëm me zinxhirë. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike vijon normalisht./tvklan.al