Sinoptikanët: Koha e keqe nuk do të zgjasë

Bora u rikthye papritur në veri të vendit. Këto pamje me rrugë dhe godina të zbardhura me siguri i shohim për herë të fundit këtë pranverë. Në Kukës trashësia e dëborës ka arritur në 5 centimetra në zonat e ulëta, kurse në ato malore në 20 centimetra.

Pavarësisht reshjeve të dëborës, Rruga e Kombit është e qarkullueshme në të dyja korsitë. Njësitë Administrative Ujmisht, Bushtricë dhe Grykë Çaje kanë probleme me furnizimin me energji elektrike, edhe pse Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi se po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në këto zona.

Më e rënduar paraqitet situata në qarkun e Dibrës. Trashësia e dëborës në Peshkopi ka arritur rreth 30 centimetra ndërsa në zonat e thella kalon 40-45 centimetra. Rrugët e qytetit janë pjesërisht funksionale, pasi kompania kontraktore ka dalë me vonesë në terren, ndërkohë që lëvizjet në qytet janë shumë të pakta. Problem mbeten zonat e thella ku mjetet detyrohen të hapin rrugën vetë, pasi as që bëhet fjalë për ndërhyrje nga Bashkia.

Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë ka funksionuar pa probleme pasi është punuar për gjatë gjithë natës.

Sinoptikanët parashikojnë që kjo situatë të mos zgjasë për shumë kohë. Edhe temperaturat kane zbritur përtej mesatares shumëvjeçare të këtij muaji. Fundjava pritet të sjellë motin e ngrohtë dhe tipik pranveror.

Tv Klan