Samiti i Sofjes bën bashkë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Jozef Borell, kërkon nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që të mos ndalin reformat që kërkon integrimi, për më tepër pas marrjes së vendimit për çeljen e negociatave.

Secili partner në rajon e di se çfarë duhet bërë. Tani, me vendimin e mirëpritur për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, është koha për të mbajtur vrullin pozitiv dhe për të vazhduar punën”.

Deklarata e Borrell u bë në Samitin Sofjes që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor zhvilluan online për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ky samit është pjesë e procesit të Berlinit, iniciativë e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila vuri theksin te zgjidhja e problemeve mes vendeve të rajonit.

“Procesi i Berlinit është gjithmonë i lidhur edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të trashëguara nga e kaluara. Shpresojmë që ky proces të vazhdojë. Kjo ka mundësuar që vendet e Ballkanit të takohen. Ajo që duhet të them për rajonin është se duhet të pajtoheni. Mos harroni se kjo është shumë e rëndësishme”.

Përfaqësuesit e qeverive firmosën në të njëjtën kohë marrëveshjen për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, si dhe për zhvillimin e politikave të gjelbra.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord që të koordinojnë politikat edhe në luftën kundër pandemisë dhe për rimëkëmbjen ekonomike për të cilat Bashkimi Europian ka dhënë 3.3 miliardë euro.

Për Shqipërinë mori pjesë Kryeministri Edi Rama, ndërsa Kosova u përfaqësua me Kryeministrin Avdullah Hoti.

Tv Klan