Situatë alarmante ne SHBA, Kina për herë të parë asnjë viktimë

Është i ndërgjegjshëm dhe për momentin nuk ka nevojë për aparat frymëmarrje,  por gjendja e Boris Johnson nuk është përmirësuar dhe vijon të trajtohet në terapi intensive.

Sipas shefit të kabinetit Michael Gove, kryeministri britanik është ndihmuar pak me oksigjen dhe po mbahen nën kontrollin e rreptë të mjekeve më të mirë. Sakaq vetë Gove është vetë izoluar, pasi njëri prej familjarëve të tij ka shfaqur shenja të qarta të Covid 19, një tjetër goditje kjo për qeverinë britanike. Downing Street nga ana tjetër ka njoftuar se në vend të Johnoson për aq sa do të jetë e nevojshme do të jetë në detyrë ministri i jashtëm Dominic Raab, i cili është njëkohësisht sekretar i parë i shtetit.

11 mijë të vdekur, prej të cilëve 1150 në 24 orët e fundit dhe rreth 370 mijë të prekur nga koronavirus tregojnë jo vetëm një situatë dramatike në shtetet e bashkuara, por edhe faktin që piku i pandemisë duhet ende të vijë. Statistikat e autoriteteve shëndetësore amerikane thonë se në Cikago, virusi ka prekur më së shumti komunitetin me ngjyrë. Më shumë se 70 përqind e vdekjeve dhe rreth gjysma e të prekurve janë nga ky komunitet, pavarësisht se ata janë vetëm 30 përqind e popullsisë.

Vijon të mbetet shqetësuese situata e bluzave të bardha në Itali. Numri i mjekeve që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirus ka shkuar në 94 dhe ai i infermiereve në 26. 5 mjekë humbën jetën vetëm në 24 orët e fundit. Situata duket me e stabilizuar, ku numri i viktimave dhe të prekurve vijon të jetë më i ulet nga dita në ditë. Qeveria italiane njoftoi akordimin e 400 miliardë eurove të tjera për përballimin e kësaj situate.

Spanja vijon të mbetet vendi me i goditur nga koronavirusi. Numri i viktimave ka arritur ne 13.798. në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 743 persona.

Lajme të mira vijnë nga Kina ku për herë të parë që prej shpërthimit të pandemisë, të hënën nuk ka pasur asnjë viktime dhe vetëm 32 të prekur me koronavirus. Edhe Wuhani ku nisi pandemia është hapur pas 76 ditësh në karantinë.

Tv Klan