Shefi i Politikës së Jashtme flet në Këshillin e Atlantikut për Ballkanin

Kryerja e reformave dhe rritja e standardeve do të afrojnë Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Europian. Qëndrimi vjen nga shefi i politikës së Jashtme Josep Borrell, gjatë një konference të organizuar në Këshillin e Atlantikut.

Borrell hodhi poshtë idenë se Bashkimi Europian vetëm sa pretendon se e do Ballkanin Perëndimor, ndërsa e quajti perspektivën europiane motor të reformave në Ballkanin Perëndimor.

 “Ne jemi duke investuar shumë para për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për realizimin e reformave dhe për përmirësimin e ekonomive të tyre dhe të sistemit politik e gjyqësor, në mënyrë që të afrohen me sistemin e BE-së”, tha Borrell.

Sipas tij, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një proces që zhvillohet hap pas hapi.

 “Do të nisim negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kemi rinisur bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës me të dërguarin e posaçëm, Mirosllav Lajçak, dhe mendoj se i kemi dhënë drejtim dialogut”, tha Borrell.

Si prioritet për reformat në Ballkanin Perëndimor, Borrell përmendi gjyqësorin e pavarur dhe luftën kundër korrupsionit.

 “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë, të kryejnë reforma dhe t’i përmbushin standardet, në mënyrë që të pranohen si anëtare”, tha ai.

Për Shqipërinë ka ende vende skeptike në BE, ndërsa Maqedonia Veriore është bllokuar nga Bullgaria për shkak të mosmarrëveshjeve për çështjet historike.

Klan News