Përfaqësuesi i BE në forumin e Dubrovnikut: Këto vende duhen mbajtur në rrugën europiane

Bashkimi Europian duhet ta ketë gjithë vëmendjen e tij tek Ballkani Perëndimor për ta mbajtur në rrugën europiane, tha shefi i politikës së jashtme të BE, Joseph Borrell.

“BE-ja është kombinimi më i mirë i lirive politike dhe i përparimit ekonomik, si dhe i solidaritetit shoqëror në botë. Ne nuk jemi të përsosur, por jemi më të mirët, prandaj duhet të vazhdojmë me të gjithë ata që e ndajnë vizionin tonë. Kjo do të thotë të ruajmë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë ringjalljen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.

Gjatë forumit Borrell u ndal edhe tek pandemia ku kërkoi vigjilencë për shkak të varianteve të reja të koronavirusit.

Përfaqësuesi i BE-së vlerëson se një nga pasojat e pandemisë do të jetë “një botë gjithnjë e më e pasigurt, më pak e barabartë dhe më pak e lirë”.

Ai tërhoqi vërejtje për përkeqësimin e situatës në Afrikë, ku vetëm 3% e popullatës është vaksinuar kundër koronavirusit, krahasuar me 60% në Evropë.

Borrell e vuri theksin edhe tek ndikimi i Kinës që po rritet në të gjithë botën. Ai beson se konkurrenca midis Kinës dhe SHBA-së do ta formojë botën në dekadat e ardhshme dhe se BE-ja duhet të vendosë një drejtim të qartë, “duke parë përmes syzeve të saj”.

Klan News