Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përmes një konference për media nga Ohri bëri publike përfundimet e arritura në takimin mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë.

Borrell, tha se Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordësi për implementimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Ai u shpreh se palët janë plotësisht të angazhuara për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe për të zbatuar detyrimet e tyre të ndërsjella në mënyrë të shpejtë dhe me besim të mirë.

“Objektivi sot ishte që Kosova dhe Serbia të binin dakord sesi të implementonin marrëveshjen e pranuar në takimin e fundit. Marrëveshja ishte e arritur në shkurt, por sot çështja ishte për të parë sesi do të implementohej. Shpesh thuhet se djalli qëndron në detaje, por nganjëherë djalli qëndron në kalendar. Ne kemi diskutuar për 12 orë rreth kësaj, dhe më në fund kemi një marrëveshje, një dakordësi. Kosova dhe Serbia kanë arritur një dakordësi për implementimin e aneksit të marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Palët kanë rënë dakord për të respektuar këtë marrëveshje, të gjitha obligimet që kanë nga ajo”.

Borrell tha po ashtu se Bashkimi Europian do të kërkojë me forcë nga të dyja vendet që të përmbushin detyrimet dhe se mospërmbushja e tyre do të ketë pasoja.

Zyrtari europian tha se palët u pajtuan që të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes së 27 Shkurtit.

“Për zbatimin e nenit 7, Kosova është pajtuar të nisë menjëherë negociatat në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të krijuar rregullime specifike dhe garanci në mënyrë që të sigurojë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, tha ai. Ky nen është parë si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deri më tani ka refuzuar që ta themelojë.

Zyrtari i lartë evropian po ashtu tha se në takim, Kurti dhe Vuçiç kanë mbështetur “deklaratën për personat e zhdukur, ashtu siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente“./tvklan.al