Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili mori pjesë në debatin mbi Ballkanin Perëndimor në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, tha se rajoni është me rëndësi të jashtë zakonshme për bllokun.

Ai shprehu shqetësimin për situatën në Bosnjë e Hercegovinë ku “ditëve të fundit kemi parë tensione dhe përpjekje për të zhbërë 26 vjet paqeje dhe qëndrueshmërie”.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, ai tha se “kemi pasur shumë tensione në muajt e fundit. Situata është më e qetë së fundmi, por prapë ka nevojë të rikthehemi në tryezën e bisedimeve, të rifillojnë bisedimet, sepse nuk ka rrugë tjetër për ta stabilizuar situatën”.

Zoti Borrell muajin e kaluar shfaqi shpresën që të organizojë një takim të ri të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre./VOA