Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se beson që arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje muajsh dhe jo vitesh, nëse të dyja palët angazhohen në mënyrë konstruktive.

Ai i bëri këto komente pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë bisedimet Kosovë-Serbi.

Zotri Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk “përshkruan zgjidhjen, nuk synon të përshpejtojë artificialisht procesin por as ta zvarrisë atë”, duke theksuar se Kosova dhe Serbia e kanë të qartë se gjetja e një zgjidhjeje është kusht i domosdoshëm në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raportoi, para ministrave të jashtëm për procesin e bisedimeve, pas të cilit tha se “diskutimi i sotëm konfirmoi që bisedimet janë qartazi të lidhura me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.

Zoti Lajçak, gjatë javës do të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd në përpjekje për rifillimin e bisedimeve, të cilat duket se ngecën për shkak të mospajtimeve rreth çështjes së Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë.

Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për këtë asociacion, ndërsa Kosova thekson se kjo çështje është mbyllur me marrëveshjet ekzistuese të vitit 2013 dhe 2015.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe, por Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Përgjatë diskutimeve të së hënës, ministrat e jashtëm thanë se bisedimet Kosovë – Serbi janë thelbësore për qëndrueshmërinë e rajonit por edhe Bashkimit Evropian.

Muajin e kaluar, dy vendet kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e cila është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump./VOA