Detyrimet që qeveria ka ndaj palëve të treta vazhdojnë që të mbeten gangrenë për buxhetin e shtetit. Ministria e Financave ka mbyllur analizën e faturave që kanë mbetur pa paguar deri në dhjetor të vitit 2018-ë, ku rezulton se në total, detyrimet të cilat duhet të shlyhen me buxhetin e këtij viti janë 61 milionë dollarë.

Më shumë se gjysmën e borxheve të akumuluara e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 32 milionë Dollarë,  kryesisht për projekte në ndërtimin e akseve rrugore dhe mirëmbajtjes së tyre, por edhe borxhet e agjencive të ujësjellës – kanalizimeve arrijnë në 9 milionë Dollarë.

9 milionë Dollarë janë edhe detyrimet që ka ministria e Brendshme, ku 2.6 milionë duhet të shkojnë për shpërblimin e lindjeve në buxhetin e “gjendjes civile”, dhe 2.8 janë vendime gjyqësore për punonjës të larguar nga strukturat e saj, por që kanë fituar të drejtën në gjykatë.

Rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar, si detyrim i prapambetur, llogaritet nga ministria e Financave që të jetë 1 milion Dollarë, kjo për shkak të marrëveshjes së strukturimit të këtij detyrimi që tatimet kanë lidhur me disa biznese që kërkojnë kthimin e TVSH-së, por që do të paguhet sipas një skeduli të rënë dakord me ta.

Të 11 dikasteret e qeverisë kanë shuma të papaguara ndaj bizneseve, ndërsa vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore i kanë bërë thirrje qeverisë që mos krijojë detyrime ndaj palëve të treta, pasi preken treguesit kryesorë të buxhetit të shtetit.

Nëse përfshihet edhe shuma e borxheve që ka pushteti vendor, fatura e detyrimeve për tu paguar këtë vit shkon në 110 milionë Dollarë.

Tv Klan