Edhe pse historia e ndryshimit të çmimit të energjisë për konsumatorin fundor, mori fund në dhjetor të 2017-s, OST e ka rihapur edhe njëherë këtë çështje. Përmes një shkrese zyrtare në datën 22 janar, Operatori i Transmetitmi të Energjisë është ankuar pranë Entit Rregullator se nuk është dakord me vendimin e marrë për çmimin final të miratuar për OSHEE-në, pasi aty nuk reflektohen kostot që kompania e shpërndarjes duhet të paguajë për detyrimet që ka ndaj saj në vite.

Por me një vendim tjetër, ERE thotë se OST nuk ka paraqitur asnjë provë të re për të faktuar pretendimin e saj, dhe se detyrimet korente që ka OSHEE janë parashikuar që të të shlyhen. ERE ka rrëzuar pretendimin e OST-së edhe për rritjen e tarifave të transmetimit që kompania ka kërkuar.

Detyrimet mes kompanive të sektorit të energjisë ende nuk janë zgjidhur. 86 milionë Dollarë janë detyrime që OSHEE ka ndaj KESH dhe rreth 1 milion Dollarë janë detyrime ndaj OST-së.

Burime në kompaninë e shpërndarjes bëjnë me dije se për të zgjidhur këtë situatë, është kërkuar ndihma e BERZH, e cila do të ofrojë një kredi për të shuar detyrimet mes sektorit, dhe do ta shtrijë shlyerjen e borxheve përgjatë 22 viteve.

Aktualisht institucionet publike janë debitorë në vlerë 160 milionë Dollarë ndaj OSHEE, ndërsa ajo vetë ka 76 milionë Dollarë detyrime në tatime dhe 87 të tjera në sektorin energjitik.

Tv Klan