Stoku i borxhit tatimor arrin në nivelin rekord 1 miliard €

Vetëm gjatë vitit 2020 borxhi që kanë krijuar bizneset ndaj tatimeve u dyfishua duke kapur shifrën e 185 milion eurove, ndërsa në total stoku i borxhit tatimor arriti një vlerë rekord prej 1 miliard eurosh.

Kjo është një ndër shifrat më të larta që ka patur borxhi që kompanitë kanë krijuar pranë tatimeve, duke zënë afërsisht 7.7% të prodhimit të brendshëm bruto.

Sipas raportit vjetor të Drejtorisë së Tatimeve, 68% e kësaj shume zotërohet nga subjekte që kanë statusin pasiv, duke ulur shpresat që këto para mund të mblidhen në arkën e shtetit, ndërsa 32%, afërsisht 320 milion euro, janë  detyrime nga biznese ende aktive.

Pandemia ka prekur jo vetëm aftësinë paguese të bizneseve, por ka shkaktuar edhe dëme për punonjësit, duke qenë se zëri i detyrimeve të reja të sigurimeve shoqërore ka njohur rritjen më të madhe.

Bizneset duhet të japin 140 milion euro për sigurimet e punonjësve, të cilat zënë në total 14% të totalit të detyrimeve tatimore.

Që prej nismës së faljes së detyrimeve tatimore 3 vjet më parë, shuma e borxhit tatimor është rritur me 425 milionë Euro, duke zënë 42% të totalit të tij.

Tv Klan