Stoku i huasë, 10.1 miliardë €

Pandemia ka çuar nivelin e borxhit publik në rekorde historike, ku stoku i tij ka arritur për herë të parë vlerën e 10 miliardë eurove. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, niveli i përgjithshëm i tij është sa 80% e prodhimit kombëtar, limit i cili është vendosur në aktin e tretë normativ të buxhetit për t’u ezauruar deri në fund të vitit.

Vetëm gjatë periudhës së pandemisë ky stok është rritur me 800 milionë euro, ndërsa krahasuar me fundin e vitit 2019, qeveria ka rritur huamarrjen me 1 miliard euro.

Peshën më të madhe në rritjen e borxhit e mban fondi i garancisë sovrane për të mbështetur bizneset për të dhënë paga për punonjësit dhe kapital qarkullues, i cili klasifikohet si borxh publik deri kur sipërmarrësit të shlyejnë të plotë kredinë.

Një pjesë tjetër e huasë është përdorur si mbështetje buxhetore për krizën që shkaktoi në mbledhjen e të ardhurave bllokimi i ekonomisë gjatë pandemisë dhe dhënien e pagave të luftës. Raporti i borxhit për frymë, në bazë të numrit të popullsisë ka arritur në 3576 euro për person.

Rritja e borxheve sovrane është një dukuri që kriza e pandemisë shkaktoi në shumicën e vendeve të prekura, ku borxhin më të madh për mbështetjen e ekonomisë e ka marrë Italia, e ndjekur nga Gjermania, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tv Klan