Sedat Peker është një prej bosëve të krimit në Turqi, i cili është parë të lëvizë në Shqipëri. Gazetari Artan Hoxha solli në emisionin “Opinion” rastin e një prej turqve të tjerë, pas atij të Faruk Ozer, që kërkohet në vendin tonë dhe Ballkan njëkohësisht.

“Sedat Peker është cilësuar si një nga bosët më të fuqishëm të mafias turke. Peker ka qenë në burg nga viti 2004 deri në vitin 2014. Ka kryer vetëm 10 vjet. Në 2015 ka drejtuar ose është vënë në krye të një organizate që ka aktivitet të shtrirë në Turqi, kryesisht krim i organizuar përfshi vrasje, rrëmbime, vendosje gjobash. Krime të këtij karakteri. Në vitin 2015 është parë në një takim me Presidentin turk Erdogan. Deri në vitin 2018 ka qenë zyrtarisht mbështetës i Presidentit turk me statuse në Facebook. Është njeri mjaft i mediatizuar. Mburret që ka një numër prej 1.6 milionë ndjekësish në Facebook. Duhet të ketë nja 300 mijë, ose 400 mijë në Instagram. Është një personazh ndryshe nga shumë bosë të tjerë, shumë i mediatizuar”, tha Hoxha.

Por një përplasje me presidentin turk ka bërë që Peker të nisë “azilin” në Ballkan. Ai ka marrë një leje qëndrimi në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

“Ai ka patur pas vitit 2018 një përplasje me Presidentin Erdogan. Nga ai moment ka nisur një operacion i policisë turke. Nga ajo periudhë janë vënë në pranga 49 anëtarë të grupit të tij në Turqi. Ai është larguar nga Turqia. Gjatë kësaj kohe e ka bërë publike, ka qëndruar në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Në Kosovë ai ka hapur një biznes në Prizren. Ka një leje qëndrimi deri në 29 Dhjetor të këtij viti. Është takuar me kryetarë të partive të pakicave turke në RMV dhe Kosovë si dhe partive boshnjake në Mal të Zi e po ashtu partive që kanë drejtim fetar dhe nacionalist në Bosnje. Luan shumë me kartën e nacionalizmit”, tha Hoxha.

Mirëpo Peker është arrestuar në Maqedoni pikërisht për shkak të skadimit të lejes. Kjo ka bërë që ai të lëvizë drejt Shqipërisë, ku Hoxha tha se e ka parë vetë të lëvizë në Vlorë me eskortën e tij.

“Ai është arrestuar në Maqedoni në fillim të vitit pasi i kishte skaduar leja. Unë jam interesuar dhe më rezulton se ky personazh, unë e kam parë në Vlorë me 5 makina. E thashë, gjëja që e dallon atë është që nuk lëviz kurrë i pashoqëruar. Ky ka lëvizur në Vlorë, unë e kam parë diku në muajin Shkurt”, tha Hoxha.

Gazetari tha se ai rezulton që ka marrë një pasaportë në Maqedoni me identitet tjetër.

“Nëse kujtoni atë skandalin me pasaportat kohët e fundit, një nga përfituesit është dhe ky. Dyshimet janë që të ketë përdorur një pasaportë të rregullt, por me identitet të falsifikuar dhe me atë të ketë hyrë në Shqipëri. Nga Shqipëria të ketë lëvizur në Mal të Zi”, tha Hoxha.

Shqipëria është një prej vendeve ku kërkohet Peker, ndërsa gazetari Hoxha hoqi paralelizma me personazhet turq të krimit, ku sipas tij, ky bos i krimit është nga personazhet tipikë.

“Kërkohet midis të tjerave edhe në Shqipëri. Është nga personazhet tipikë që paraqitet në telenovelat turke. Nga mënyra si vishet, si del, si përfshihet në rrjetet sociale, i duket sikur i bën karshillëk autoriteteve kudo që shkon”./tvklan.al