Eurodeputeti rumun Viktor Boshtinaru del kundër Presidentit të Komisionit, Zhan Klod Junker. Ai deklaron se duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit perëndimor për anëtarësimin në BE. Gjatë intervistës për Klan Plus, Boshtinaru thekson se nëse ky proces do të ndodhte pas vitit 2019, kjo do të vriste shpresat e qytetarëve.

“Qeveria e re duhet të dëshmoje atë që shqiptarët e thjeshtë duan, dhe jo vetëm ne po kërkojmë, përshpejtimin e reformave sidomos në gjyqësor. Tani janë mundësitë më të mëdha dhe po ashtu duke kuptuar rolin e Shqipërisë në rajon do të ishte një vendim i duhur i Komisionit evropian që të hapë negociatat me Shqipërinë në muajin dhjetor”.

A jeni dakort ju me deklaratën e presidentit Junker se deri në vitin 2019 asnjë nga vendet e Ballkanit perëndimor do të bëhet anëtar i BE?

“Deklarata e Junker për anëtaresimin e vendeve të Ballkanit pas vitit 2020 ishte politikisht e gabuar sepse u interpretua nga vendet në rajon dhe jo vetëm, si fundi i procesit të zgjerimit. Ne duhet t’u japim kurajo juve. Vendet e rajonit nuk mund të presin më në kalendat greke që të hapen negociatat sepse vonesat e mëtejshme do ta vrasin shpresën e qytetarëve”.

Ka një perceptim se po te arrestohen zyrtarë të lartë, ju në Bruksel do të na hapni derën dhe negociatat do të hapen menjëherë ?

“Unë nuk besoj tek drejtesia selektive por tek institucionet. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, duhet të zbatojë Kushtetutën të mos abuzojë sepse do të humbasë besimin e qytetarëve. Nëse pyet ndonjë këtu në Bruksel se cila ka qenë karakteristika e Shqipërisë në dhjetë apo njëzet vitet e fundit, do të thonë një dramatizim i skajshëm i luftës politike. Kjo sjellje tashmë duhet të ndalet. Është ky një mesazh për elitën politike në vendin tuaj që të ulen dhe të negociojnë kur bëhet fjalë për integrimin, që të ndalet lufta mes tyre sepse kjo është rruga që vendi të përparojë”.

/KLAN PLUS