Në një kohë që retorika luftarake ka arritur kulmin, me Amerikën që paralajmëron Korenë e Veriut kundër vazhdimit të testimeve raketore dhe Phenianit që kërcënon Uashingtonin me goditje bërthamore, ia vlen të shikojmë se cilët shtete kanë armë bërthamore dhe sa të mëdha janë arsenalet e tyre.

Teksa Koreja e Veriut i afrohet gjithnjë e më shumë momentit të krijimit të një arme bërthamore që mund ë kërcënojë Amerikën, marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë, dy superfuqive bërthamore, kanë arritur në “pikën më të ulët” që prej Luftës së Ftohtë.

Presidenti Donald Trump ka trashëguar një program 1 trilion dollarësh për të modernizuar armët bërthamore, ndërsa Rusia tendos buxhetin e saj për të bërë të njëjtën gjë me arsenalin e saj. Lidhur me këtë, Trump madje ka thënë: “Le të jetë një garë armësh.”

Buletini i Shkencëtarëve Atomikë i ka mbajtur shënim të gjitha këto zhvillime në Janar dhe mendon se jemi 30 sekonda më afër katastrofës se më parë. Zhvendosja simbolike tregon se njerëzimi tanimë është vetëm 2 minuta e 30 sekonda larg “mesnatës” apokaliptike.

Ngjarjet botërore që prej Janarit kanë bërë pak për ta përmirësuar gjendjen, në mos e kanë përkeqësuar.

Tensionet mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut janë rritur kohët e fundit, me shtetin komunist që ka kërcënuar me “shi” bombash bërthamore mbi Amerikën.

Ekspertët nuk bien dakord mbi numrin e bombave bërthamore që ka Koreja e Veriut, por më shumë dihet për arsenalet bërthamore që kanë shtetet e tjera. Më poshtë gjeni hartën e publikuar nga “Bussines Insider” për numrin e armëve bërthamore që secili shtet disponon.

Në krye të listës qëndron Rusia me 7 000 koka bërthamore në total, e ndjekur nga SHBA-të me 6 800, Franca 300, Kina 260, Britania 215, Pakistani 140, India 120, Izraeli 80 dhe Koreja e Veriut me 8 koka bërthamore. /tvklan.al