Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Anija Kozmike Shatëll niset në hapësirë pas shumë peripesish. 7 minuta vonesë nga parashikimi i mëparshëm mund të çonin në anullimin e tretë të lëshimit të anijes në kozmos. Qëllimi i ekspeditës është hedhja në hapësirë e teleskopit gjigand me rreze lazer kostoja e të cilit arrin në 1.5 miliard dollarë.

Nën tingujt e gajdeve irlandezët e Nju Jorkut i dhanë dje lamtumirën e fundit Xhon Kenedit, gruas Karolinë dhe kunatës Loren. Në katedralen e vjetër të Shën Patrikut janë ndezur tre qirinj në kujtim të tyre. Kenedët janë bij të Irlandës pasi ikën në 1840 për tu vendosur në SHBA dhe për tu bërë familja numër numër një e saj.

Janë shtyrë për në Shtator bisedimet për krijimin e një qeverie koalicioni në Irlandën e Veriut. Tratativat e djeshme në Londër kanë përfunduar me akuza të ndërsjellta. Kemi një problem shumë serioz, këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë ka deklaruar Xherri Adams, shefi i Shin Feinit.

Është vrarë gjatë një përleshje njëri nga pilotët e Boingut 747 që ndiqte linjën Tokio-Saporo në Japoni. Sipas burimeve një djalë 28-vjeçar kishte hyrë me forcë në kabinën e pilotimit, ku kishte kërkuar ndryshimin e kursit për në bazën amerikane të Jokotës. Është hera e parë që në Japoni ndodh vdekja e pilotit gjatë rrëmbimit të avionit./tvklan.al