Ndarja nga jeta e aktorit të mirënjohur Rikard Ljarja ka tronditur botën e kinematografisë shqiptare. Kolegë dhe artistë të tjerë kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e regjisorit të njohur.

Aktori Mevlan Shanaj ka shprehur dhimbjen e thellë që ndjen për humbjen e mikut të tij.

“Ej sot iku RiKard Ljarja! Ej shqiptarë dhimbja ka një emër sot, nesër do quhet Rikard, emocioni ka emrin e tij, buzëqeshja është për të, liria ka dashurinë në zemrën e tij, ne shokët lotët i kemi te sytë e tij të qeshur , zemra e tij është në ju që e deshët, po kthehet në Shkodrën e jetës së tij. Mik na helmove, na shkretove fisnikërinë. Faleminderit dashurisë tënde, ne tashmë dimë të vdesin të ndershëm. Dhuratën e ruajtur zemrës tënde sot e hodhe në dritën e arit për të pushtuar gjithësinë. Dritë paste emri, vepra e shpirtit tënd të bukur. Me duar të dridhura ju them; Rikardi mbeti Rikard ashtu si e doni Ju, si e do Shqipëria, Ded! Ku je! Kjo pyetje vjen në çdo familje për 1 minutë heshtje. Le të kumbojnë këmbanat e zemrave për të. Lamtumirë miku im! Që mbete mik i shtrenjtë”!

Aktorja Eva Alikaj thotë se ndarja nga jeta e Rikard Ljarja është një “diamant më pak në kinematografinë shqiptare”.

“Një aktor, një artist që më ka magjepsur që në fëmini, që më ka bërë ta adhuroj artin e aktorit madje ta quaja të paarritshëm kur shihja Rikardin të interpretonte rolet e tij të mrekullueshme në kinematë e Tiranës. Ndihem shumë e trishtuar. Një diamant më pak në kinematografinë shqiptare. Faleminderit Rikard Ljarja. Lamtumirë”.

Edhe aktorja Yllka Mujo ka shprehur ngushëllimet për humbjen e aktorit të njohur.

“Sa e rëndë! Shkoi dhe Rikardi! Trishtim i madh”.

Ndërsa shkrimtari Zija Çela thotë vepra e Rikard Ljarja është shumë një pasuri për Shqipërinë.

“Sa pak, sa pak mori Rikard Ljarja dhe sa shumë, sa shumë na dha. Dhe ne përsëri nuk do të mund t’i japim, ndërsa Ai do të vazhdojë të na japë përmes ekranit. Pikëllimi ka ndriçimin e vet dhe në këto çaste ka pikërisht atë të diamantit të zi”.

Aktori Rikard Ljarja u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare në banesën e tij në Tiranë, pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rendë. /tvklan.al