Merkel: Europa do të marrë më tepër përgjegjësi, jemi gati!

Arena politike globale shfaqet e lehtësuar pas betimit të Joe Biden-it si president i Shteteve të Bashkuara. Duke mirëpritur urdhërat ekzekutivë të shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë për OBSH-në dhe marrëveshjen e klimës, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se shihte më tepër hapësirë për marrëveshje politike me administratën e re në Washington. Por ajo i kujtoi Biden-it rolin e liderit që Gjermania ka në Europë dhe se do të vazhdojë të ketë rol edhe më aktiv në arenën globale.

“Nuk presim dakordësi të plotë për çdo gjë. Do diskutojmë si t’i zgjidhim gjërat në të mirë të dy vendeve, por Joe Biden përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara, kurse unë të Gjermanisë. Europa do të marrë më tepër përgjegjësi, jo vetëm ushtarake, por edhe diplomatike dhe në fusha të tjera. Lajmi i mirë është që ne në Gjermani jemi gati dhe kështu është edhe Bashkimi Europian”.

Shpresë për rikthimin e bashkëpunimit shprehën përmes Twitter-it edhe liderë të tjerë europianë si presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Boris Johnson apo kreu i qeverisë italiane Giuseppe Conte.

Moska nuk pret ndonjë ndryshim rrënjësor të politikës amerikane, por shpreson që në dallim nga Trump, administrata e re e Washington-it të vazhdojë të jetë pjesë e paktit për kufizimin e arsenalit bërthamor që skadon në Shkurt.

Pekini zyrtar bëri thirrje që marrëdhëniet me Washington-in t’i kthehen nivelit të njerëzishëm. Shpresë edhe në Iran për rigjallërimin e marrëveshjes bërthamore të 2015-ës, prej të cilës Shtetet e Bashkuara u tërhoqën. Kjo do i shërbejë edhe lehtësimit të mëtejshëm të sanksioneve.

Tv Klan