Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Mbi 15 është numri i të burgosurve të vetëdjegur në burgun Bajram Pasha të Stambollit, si pasojë e një revolte të nisur sot, që në orën 3 të mëngjesit. Si pasojë e përleshjeve kanë vdekur dhe dy anëtarë të forcave të rendit. Ky akt ekstrem ka ardhur pas një greve urie rreth dy mujore, ku kanë hyrë 1139 të burgosur turq. Protesta e burgjeve turke është shtrirë në 20 burgje të Ankarasë dhe shumë institucione të tilla në gjithë shtetin euroaziatik.

Kërkesa kryesore e të burgosurve ishte vendosja në kapanone dhe jo në qeli të vogla, pasi sipas të burgosurve në këto qeli, gardianët abuzojnë me ta. Kryeministri turk Eçevit është shprehur për ngjarjen e sotme. Forcat e sigurimit kanë bërë të pamundurën për mos të shkaktuar të plagosur. Ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje paqësore për të ndaluar gjakderdhjen është shprehur ai.

Moska është zgjuar sot nga një atentat terrorist. Makina e deputetit rus Josif Orzhenokis është goditur sot rreth orës 6:15 të mëngjesit me orën tonë. Sipas policisë kanë qenë dy njerëz me maska që kanë hapur zjarr ndaj deputetit rus dhe shoferit të tij, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të këtij të fundit. Orzhenokis ishte një prej emrave më të njohur në bashkëpunimet me investitorët e huaj në Rusi./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori