E vështirë për ta përcaktuar gjendjen mendore të gjithsecilit që po lexon këtë artikull tani.

Dikush është ndoshta duke dëgjuar fëmijët duke bërtitur. Ndoshta dikush sapo pa në telefon lajmin më të tmerrshëm… edhe pse nga fundi botës. Ndoshta hapët Instagramin dhe patë “story”-t e njerëzve që nuk i keni fort qejf.

Me siguri ndiheni keq. Ose më saktë, të xhindosur. Fatkeqësisht po jetojmë në mes të një epidemie tërbimi. Jo thjesht duket sikur çdokush është më i inatosur seç ka qenë: në fakt, ashtu janë. Bota është kthyer në një vend të tërbuar dhe zemëruar.

Vitin e kaluar, Gallum publikoi Raportin Global Emocional për të treguar aspektin pozitiv e negativ dhe gjendjen mendore të njerëzve në botë. Nga ky raport, doli një raport i zymtë. Zemërata rreth botës ka ardhur në rritje që prej 2016-ës. Në fakt, 23% e të anketuarve thanë se ndihen të inatosur çdo ditë. Edhe pse zemërimi është i kuptueshëm të jetë i lartë në zona lufte, gjenocidi, apo varfërie ekstreme, edhe në vendet në paqe, nivelet e inatit ishin shqetësuese.

Por pse bezdisemi kaq shumë? Për çfarë inatosemi? Në fakt, kjo ndryshon sipas aspekteve demografike. Dhe siç pritej këtë epidemi tërbimi po e udhëheqin djemtë e rinj. Ryan Martin, një kërkues dhe autor i librave “Pse zemërohemi”, dhe “Si të menaxhojmë njerëzit e zemëruar”, zbuloi se meshkujt inatosen më shumë se femrat.

Më shumë se gjysma e burrave të anketuar, 60%, raportuan se inatosen të paktën një herë në ditë. 40% e tyre thanë se kjo u ndodhte disa herë në ditë. Sa i përket femrave, vetëm 38% e tyre zemëroheshin. Sipas Martin ka tre arsye pse inatosen më shpejt njerëzit. Për arsye se përjetojnë padrejtësi, trajtohen me mëshirë dhe se nuk arrijnë të marrin atë që duan.

Nëse ka një “zonë” ku nxirret i gjithë vreri është padyshim, bota online. Kemi elementë si Andrew Tate që kanë krijuar “ushtrinë e tyre”, të nxitur nga misogjenia, me djem të rinj të frustruar. Bashkangjitur me këtë manosferë, edhe materialet  që nxisin inatin janë bërë opsion dominues në jetën online.

Në rrjetet sociale ka dalë një zhanër me përmbajtje të frymëzuara nga inati. Pra video dhe postime që synojnë të irritojnë lexuesin ose shikuesin për të shkaktuar zemërim me qëllimin për të pasur sa më shumë trafik në faqe, angazhim, të ardhura dhe vëmendje.

Zbulimi i Gallup se zemërimi është në rritje që prej vitit 2016 është domethënës. Është në fakt viti në të cilin bota u bë më e përçarë, kjo falë Donald Trump dhe Brexit. Katër vite më vonë ndodhi pandemia, e cila i bëri njerëzit edhe më të izoluar. Të mbyllur në shtëpi, të frustruar dhe të frikësuar, u zhytën në telefona duke “ushqyer” algoritmet.

Por ka edhe raste të tjera që këto video që synojnë të nxisin inat te njerëzit kthehen në qesharake. Për shembull, rasti i Ashton Hall dhe rutinës së tij të mëngjesit. Videot e tij shkaktuan të qeshura në vend të zemërimit, por kjo nuk ndodh shpesh. Shumica e njerëzve që provokojnë zemërim me materialet e tij duan që audienca të inatoset. Dhe herë pas here kjo përhapet edhe në jetën reale e nuk qëndron vetëm brenda kufijve të internetit.

Gjithnjë e më shpesh po bëhen virale video të njerëzve që shpërthejnë në zemërim, që nga incidentet rrugore e deri te debatet në mes të ndonjë stacioni, mes shumë pasagjerëve që i injorojnë në vend që të ndërhyjnë. Duke parë këto lloj videosh vetëm sa shtohet një ndjenjë e përgjithshme mërzitie në rritje nxitur nga zemërimi, në internet apo edhe në jetën reale.

Ndonjëherë inati shkon edhe më tej. Pa përgjigje, por mbushur me zemërim, njerëzit dalin në rrugë për të djegur, sulmuar dhe shkatërruar. Zakonisht synojnë gratë, emigrantët, apo këdo që besojnë se është armiku, burimi i tërbimit të tyre.

Ndoshta mënyra më e mirë për ta parë zemërimin nuk është si një epidemi, por si varësi kulturore. Si të gjitha varësitë, nëse nuk gjejmë një mënyrë për ta menaxhuar, do të na gërryejë, duke lënë pasoja të rënda shoqërore.

Shkrim nga The Independent

Përshtati në shqip Tvklan.al