Lojtarët e Anglisë janë ulur në gju përpara ndeshjeve të tyre në fazën e grupeve në Botërorin që zhvillohet në Katar. Ky është një gjest anti-racist. Më poshtë mund të ndiqni se si ka lindur kjo lëvizje.

Colin Kaepernick, dikur një lojtar i San Francisco 49ers në NFL, pra futbollit amerikan, refuzoi që të qëndronte në këmbë kur në një ndeshje u këndua himni i SHBA. Në një ndeshje tjetër, Kaepernick u ul në gjunjë dhe nga ky moment u ndez një debat në lidhje me marrëdhëniet racore, politikat dhe përzierjen e politikës dhe sportit.

Më vonë, Kaepernick-ut iu bashkuan të tjerë futbollistë amerikanë, të cilët bënin thirrje për vëmendje pasi sipas tyre shihnin tendenca raciste në trajtimin e afro-amerikanëve nga policia. Pas atij sezoni, Kaepernick u lirua nga klubi dhe që prej atëherë nuk i është bashkuar asnjë ekipi tjetër. Protesta e tij shkoi në vëmendjen e Donald Trump, asokohe president i SHBA-së, i cili bëri thirrje që NFL të pezullonte lojtarët që uleshin në gjunjë kur këndohej himni.

Kauza “Black Lives Matter” u fut në klubet e Premier Leauge-ës në vitin 2020 pas vdekjes së George Floyd, një njeri me ngjyrë, i cili u vra teksa po arrestohej nga policia në Minneapolis.

Klubet kryesore të Anglisë veshën bluza me logo të “Black Lives Matter” dhe më vonë ajo u zëvendësua me “S’ka vend për racizëm”. Ekipet e Anglisë, për femra dhe meshkuj, janë ulur në gjunjë para ndeshjeve që prej vitit 2020 në shenjë solidariteti me vdekjen e Floyd dhe në mbështetje të barazisë.

Kritikët e kësaj “proteste” duke përfshirë përgjithësisht politikanët konservativë, thonë se politizon sportin. Kjo për shkak se disa e konsiderojnë si një lëvizje të majtë kauzën “Black Lives Matter”.

Në vitin 2021 u botua një sondazh ku nxirrej rezultati se tifozët i mbështesnin lojtarët që uleshin në gjunjë në masën 54%. Vetëm 39% e kundërshtonin diçka të tillë.  

Për sezonin 2022-2023, ekipet e Premier League vendosën që të kryejnë gjestin vetëm për disa ndeshje të rëndësishme. Ndërkohë në ndeshjen e fundit, Angli-Uells, të vlefshme për Kupën e Botës, në gjunjë u ulën të dyja ekipet. Kjo ishte hera e parë që në këtë turne, Uellsi bënte këtë lloj gjesti./tvklan.al