Me fat në grumbullimin e kombëtares, Giroud ‘hesht’ kritiket: Ëndërr fëmijërie të tejkaloja Henry

Olivjer Zhiru gjithnjë e më shumë në historinë e Francës. Falë golit të shënuar ndaj Polonisë në raundin e 1/8-ave të Kupës së Botës, sulmuesi i Milanit arriti në kuotën e 52 golave për të kaluar në krye të renditjes së golashënuesve më të mirë me fanellën e “Les Bleus”.

Pak kush e kishte imagjinuar një hap galopant të tij me fanellën e kombëtares, pasi edhe thirrja në Katar 2022 ishte ndoshta e detyruar, kjo edhe për shkak të problemeve fizike që shfaqi Karim Benzema. Në reagimin e tij pas sfidës, Zhiru nuk e fshehu kënaqësinë për këtë rekord.

“Ishte një ëndërr fëmijërie për të mposhtur Thierry Henry. Është një krenari e jashtëzakonshme të jesh në gjendje ta bësh në një Kupë Bote. Shpresoj që të vazhdoj të shënoj përsëri për të shkuar sa më larg. Goli im na vendosi në rrugën e duhur në një lojë të komplikuar në të cilën rrëzikuam jo pak. Tani aventura vazhdon. Rruga është ende e gjatë por nuk e fshehim kënaqësinë”, ka thënë Giroud.


Gjithçka nisi në vitin 2012, me një gol në miqësoren kundër Gjermanisë, për të vijuar më pas ngjitjen në renditjen e përgjithshme. Ish-sulmuesi i Chelsea kaloi me një gol Thierry Henry, që veshi fanellën e kombëtares nga viti 1997 deri në 2010.

Rekordi i 36-vjeçarit kërcënohet nga shoku aktual i kombëtares, Antua Griezmann, autor i 42 golave, me gjasat që do jetë sërish pjesë e Francës në Kupën e Botës 2026. Ndërkaq vendi i katërt për Michel Platini, me 41 gola të shënuar, ndjekur më pas nga Karim Benzema me 37 dhe David Trezeguet me 34 gola.

Klan News