Tifozët serbë nuk e fshehën trishtimin pas eliminimit nga Kampionati Botëror për herë të dytë radhazi nga Zvicra. Përfaqësuesja ballkanase kishte nevojë për një fitore për t’i dhënë vetes një shans që të avanconte, por e mbylli grupin në vend të fundit. Që nga shpërbërja e Jugosllavisë, Serbia kurrë nuk ka arritur që të kualifikohet në një fazë të eliminimit direkt.

Bojan Markoviç, tifoz serb: Si një serb, ndihem i turpëruar sepse nuk kemi mbrojtje, por djemtë u përpoqën dhe dhanë maksimumin. Brezi i ardhshëm do ta tregojë me vepra cilësinë që ne kemi.

Ndërsa për tifozin tjetër, Daniel Xhurxheviç, fjalët ishin të pakta. Ai trishtohet nga fakti që përfaqësuesja pësoi 8 gola në fazën e grupeve.

Kurse fansat zviceranë u zbavitën nga loja që kombëtarja e tyre dhuroi.

“Ndihem mirë, ishte shumë argëtuese si sfidë. Pati shumë gola dhe njëherë kryesoi Zvicra, pastaj Serbia, e pastaj sërish Zvicra. U argëtuam pa masë dhe loja ishte e mrekullueshme.”

Zvicra e mbylli me pikë të barabarta me Brazilin në Grupin G, por u penalizua vetëm për shkak të golavarazhit.

Klan News