Tetë stadiumet gati të presin turneun numër 22 në histori

Nga 21 Nëntori deri më 18 Dhjetor, Katar do të jetë epiqendra e futbollit botëror. Në shtetin arab do të mbahet turneu numër 22, i cili e ka shkruajtur tashmë historinë. Për herë të parë, ky turne do të luhet në muajit e dimrit, e gjithë kjo për shkak të kushteve atmosferike dhe temperaturave të larta. 32 kombëtare do të luftojnë fort mes tyre për të nxjerrë vetëm një fitues, në turneun e fundit që do të diskutohet mes kaq pak përfaqësueseve, pasi nga ai i radhës, do marrin pjesë 48 kombëtare.

Por kush janë 8 stadiumet e përzgjedhura për të pritur duelet emocionuese? ‘Al Thumama Stadium” i cili do të pres edhe ceremoninë hapëse dhe ndeshjen e parë mes Senegalit dhe Holandës ndodhet vetëm 12 kilometra larg Dohas. Kapaciteti është 40 mijë tifozë, ndërsa u përurua vetëm një vit më parë.

Al Janoub Stadium – Vetëm 20 km larg kryeqytetit Doha, kapaciteti i tifozëve që mban është 40 mijë dhe është inauguruar në vitin 2019. Këtu do të luhen shtatë ndeshje, të gjitha në fazë grupesh ose në raundin e 16-të.

Education City Stadium – Një nga impiantet më të qëndrueshme në botë, i ndërtuar në masën 20% me materiale ekologjike. Stadiumi mori një vlerësim me pesë yje nga GSAS (Sistemi Global i Vlerësimit të Qëndrueshmërisë) në vitin 2019 përpara se të inaugurohej një vit më pas. I njohur si ‘Diamanti i Shkretëtirës’, ish-shtëpia e finales së Kupës së Botës për Klube 2021, ka një kapacitet prej 40,000 vendesh dhe do të presë tetë ndeshje.

Ahmad Bin Ali Stadium – Ndodhet në Al Rayyan dhe ka kapacitet prej 40 mijë vendesh. Ky stadium u ndërtua në vitin 2003, ndërkohë që u rinovua në vitin 2016. Shtatë sfida do të luhen në këtë stadium.

Stadium 974 – U inaugurua në vitin 2021. Ky është stadiumi i parë tërësisht i çmontueshëm në historinë e Kupës së Botës. Pas kompeticionit ai do të shembet për tu transferuar diku tjetër. Kapaciteti 40 mijë vende, ndërkohë që do të presë shtatë takime.

Al Bayt Stadium – Ky stadium gjendet në Al Khor, 35 km larg kryeqytetit. Është një nga stadiumet më të mëdhenj të Botërorit (60 mijë vende). Tetë “beteja” do të zhvillohen këtu, përfshirë edhe një nga dy gjysmëfinalet. U inaugurua vetëm një vit më parë.

Khalifa International Stadium – Ky stadium ndodhet në Doha dhe ka kapacitet prej 45.416 vendesh. Inaugurimi ndodhi në vitin 1976, teksa rinovimi u bë pesë vite më parë. Tetë ndeshje do të luhen këtu, ku bie në sy finalja për vendin e tretë.

Lusail Stadium – Stadiumi më i rëndësishëm. Dhjetë ndeshje do të luhen këtu, rekord absolut, mes tyre edhe finalja e madhe. Stadiumi ndodhet në Lusail, 15 km larg kryeqytetit Doha. U inaugurua këtë vit, vetëm pak muaj para nisjes së turneut. Kapaciteti, 80,000 tifozë.

Klan News