Goli i Olga Carmona në pjesën e parë në finale e botërorit të femrave i siguroi Spanjës titullin kampion.

Trajnerja e Anglisë Sarina Wiegman zgjodhi të mbajë të njëjtin formacion si në gjysmëfinale ndërsa nga ana tjetër Spanja la në stol fillimisht lojtaret më të mira duke çorientuar skuadrën kundërshtare.

Ndeshja nisi me ritëm dhe nerv teksa që në minutën e 15’ Lauren Hemp goditi traversën. Spanja u kundërpërgjigj menjëherë në një lojë gjithnjë e më të hapur. La Roja po ushtronte më shumë presion dhe gjeti golin në minutën e 29’, me mbrojtësen e majtë Olga Carmona që shënjestroi rrjetën.

Anglia luftoi për t’u përgjigjur dhe mund të kishte barazuar por shtylla i mohoi golin.

Disa ndërprerje, duke përfshirë një vonesë të gjatë dëmtimi, çuan në 13 minuta kohë shtesë për të përfunduar turneun, teksa luaneshat angleze panë të shuhej ëndrra e tyre për të ngritur trofeun e parë të Kupës së Botës për femra.

Tv Klan