Mposht Hamilton dhe rinovoj

Kontrata e Valtteri Bottas me Mercedes skadon në fund të këtij viti. Për momentin ai nuk mendon në rinovimin e saj, pasi ai ka një objektiv të qartë: Të mposhtë shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton dhe të fitojë titullin kampion në Formula 1. Piloti finlandez e ka të qartë se ky është shansi i fundit për t’ia dalë mbanë, për dy arsye: Ky është sezoni i fundit me makinat aktuale, pasi nga viti 2022 hyjnë në fuqi rregullat e reja, dhe e dyta, në rast dështimi nuk do t’i rinovohet kontrata.

 “Nuk dua të nxitohem për kontratën e re. Skuadra është përqendruar te rregullat e reja që do të aplikohen vitin tjetër dhe pilotët që do të pilotojnë Mercedes. Nëse nuk e mposht edhe këtë vit Lewis do të ishte një zhgënjim për mua, por nëse ia dal mbanë, mendoj se rinovimi do të vijë automatikisht. Do kërkoj fitoren që në garën e parë.”

Javën e ardhshme do të zhvillohen testet e para zyrtare në Bahrein, pikërisht aty ku do të zhvillohet edhe gara e parë sezonale më 28 Mars. Mercedes nuk ka bërë shumë ndryshime këtë sezon, por mbetet favorit. Skuderia gjermane i ka lënë të lirë pilotët të garojnë në konkurrencë të plotë, pa favorizime, ndaj ky është shansi i fundit ndoshta për Valtteri Bottas.

Klan News