Mungesa e Gjykatës Administrative i kushton biznesit një humbje afro 400 milionë euro në vit.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, thotë se kjo shifër është gjithmonë dhe në rritje, pasi çdo vit shtohet numri i bizneseve të reja, gjë që krijon paralelisht edhe rritje të ankesave pranë gjykatave.

Eno Bozdo: “Përllogaritet që humbja sipas vetë shoqatave të biznesit, humbja e biznesit shqiptar në vit vetëm nga mungesa e Gjykatës Administrative të jetë afërsisht 400 mln euro. Është një shifër e lartë, por nëse do të llogarisim me sasinë e çështjeve që biznesi ka dhe vonesat dhe kostot që këto vonesa shkaktojnë kjo është një shifër e besueshme.”

Bozdo thotë se duhet të gjendet konsensusi politik për ngritjen e kësaj gjykate, pasi është në të mirën e të gjithëve dhe jo të ndonjë force politike.

Gjithashtu, sipas tij, në qoftë se biznesi do t’i investonte këto para, do të kishte një impakt direkt edhe në rritjen e punësimit në vend.

Eno Bozdo: “Ka një konsensus të plotë nga ana profesionale, por çështja është që nga ana politike PS nuk është e përgatitur për ta votuar këtë ligj. Për fat të keq kjo do të vazhdojë ti shkaktojë kosto të tjera tek biznesi shqiptar dhe është në paradoks me të gjithë atë që qeveria shqiptare, ekzekutivi shqiptar tenton të ndërtojë.”

Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative është gati për më shumë se një vit, por opozita refuzon ta votojë./tvklan.al

Gazetar: Edjol Halialaj