Ditën e hënë zyra e Hipotekës dhe ajo e legalizimit të ndërtimeve pa leje do të jenë në të njëjtin vend, duke përshpejtuar kështu procesin dhënies së lejes së legalizimit dhe regjistrimit të pasurisë.

Një javë më parë qeveria vendosi që kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të jetë Artan Lame, i cili ishte iniciatori i procesit të shkrirjes së ALUIZNI-t me Hipotekën dhe Agjencinë e Inventarizimit të Pronës Shtetërore.

Tashmë puna e agjencisë së re nuk do të jetë vetëm kjo. Artan Lame tha se janë tre reforma kryesore që do të përmbyllen me nisjen e funksionimit të strukturës së re.

 “Reformën që do të ndërmarrim, mund ta përmbledh në tre drejtime: – reformë thelbësore në hartografi; – reformë thelbësore në sisteme shërbimi; – dhe reformë thelbësore në burime njerëzore.”

Agjencia do të nisë menjëherë punën për regjistrimin e pronave shtetërore si dhe mbylljen e procesit të ndarjes së tokës bujqësore, e mbetur pa u zgjidhur prej 30 vjetësh.

 “Sot mund të themi vetëm një gjë: Barra është e jashtëzakonshme, por rrugë tjetër për të mbyllur tre dekadat e kaosit pronësor, nuk ka. Zgjidhja e çështjes së pronësisë, vazhdon të mbetet thembra e Akilit për kohezionin ekonomik dhe social të vendit.”

Sipas të dhënave paraprake, më shumë se gjysma e akteve të marrjes së tokës në pronësi nuk janë të regjistruara në hipotekë, ndërsa agjencia do  të kontrollojë të gjithë procesin se si është marrë ky akt dhe nëse ka patur shkelje në dhënien e tij.

Tv Klan