Shpërndan ushqim për të pastrehët

Ky person i veshur sportiv dhe me maskë e doreza në respekt të rregullave antiCovid nuk është një punonjës i thjeshtë i ngarkim-shkarkimit, por një fitues i çmimit Oskar.

Bëhet fjalë për aktorin hollivudian Brad Pitt që ka vendosur që për një ditë të ndihmojë në shpërndarjen e ushqimit për të pastrehët në rrugët e Los Angeles.

56-vjeçari nuk ka pranuar të bëjë publike këtë nismë të tij, por paparacët e zbuluan teksa aktori ndihmonte në shkarkimin e fruta-perimeve dhe ushqimeve të tjera.

Aktori kaloi një ditë të tërë në ndihmë të familjeve në nevojë në një nga lagjet më të varfra të qytetit. Sipas fotografëve, Pitt tregohej mjaft i kujdesshëm që të mos njihej, por dukej se e kryente me mjaft pasion detyrën që kishte marrë.

Mediat amerikane shkruajnë se Pitt është ndalur vetëm për pushime të shkurtra ku është parë të konsumojë diçka ose të shkëmbejë biseda me vullnetarë të tjerë.

Gjesti i tij është vlerësuar shumë, por aktori nuk e ka për herë të parë që lë tapetin e kuq apo fronin si yll i Hollivudit për t’ju bashkuar njerëzve të zakonshëm.

Tv Klan