Për fat të keq shumë fëmijë me aftësi ndryshe në mbarë botën, përfshirë dhe vendin tonë nuk gjejnë mbështetje. Madje shumë prej tyre përjetojnë dhe rastin më ekstrem të mundshëm që është ai i braktisjes edhe nga ana e prindërve.

Psikologia Irena Shanaj në studion e “Shije Shtëpie” e konsideroi këtë fenomen si një kambanë alarmi, që për fat të keq është në rritje. Ajo bëri rritje për ndërgjegjësim dhe empatizëm.

“Këtë çështje unë dua ta adresoj në nivel global. Dua të merrem, si psikologe edukimi, me ndjenjën e braktisjes dhe se si ndikon në psikikën e një individi. Sa gjymtuese është braktisja, sa ndikon në ndjenjën e vlefshmërisë, në rritjen e pasigurisë së vetes, në ndjenjat e frikës, qoftë frika nga refuzimi. Personi që braktiset ndjen që nuk meriton të duhet, nuk meriton që t’i kushtohet vëmendje dhe nuk meriton të marrë kohën e mamasë, të babait apo të personave të tjerë.

Ne jemi nëna fëmijësh dhe braktisja thjesht e menduar të lëndon, të prek deri në çoroditje sepse mendon që është e pamundur. Është përkundër çdo instinkti natyror dhe hyjnor. Nëna nuk e braktis fëmijën. Më parë mund të braktisë veten, vetveten, por jo fëmijën. Është gjëja e fundit që mund të bëjë. Në fakt ka plot raste dhe është një fenomen në rritje. Është një fenomen që është një kambanë alarmi. Është hapur sistemi i alarmit tani dhe duhet të merremi. Po adresojmë një çështje që po merr goxha përmasë dhe është për të ardhur keq”, tha psikologia/tvklan.al