Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tregoi se fundi i Covid-19 do të jetë kur të mos ketë më infeksione apo transmetime komunitare.

Për këtë, Brataj sheh lidhjen me uljen e thirrjeve drejt numrave të urgjencës për koronavirusin si dhe qytetet që nuk ka raste me Covid-19 për disa ditë.

“Nëse sakrifikojmë edhe pak nga liritë tona, nga ekonomia… Kur? kur nuk ka më infeksion, kur nuk ka transmetime komunitare ky është fundi. Unë e lidh me uljen e thirrjeve drejt 127, direkt për Covid-19 me numrin e thirrjeve te 0800 40 40, por mbi të gjitha kur shoh listën e qyteteve që nuk prezantojnë infeksion për disa ditë është pozitive”, tha Brataj.

Megjithatë, Brataj tha se me lehtësimin e lëvizjes mund të kalojë infeksioni nga Tirana në qytete që për momentin nuk kanë asnjë rast.

Por nëse në vazhdim njerëzit ruajnë distancën dhe respektojnë masat, atëherë gradualisht mund të shkojmë drejt hapjes së vendit gjatë verës sipas Bratajt.

“Është rreziku që po liruam lëvizjen ndërqytetase do shkojë nga Tirana. Prandaj duhet të bashkëjetojmë dhe të përgatitemi mendërisht. Nëse është një përqindje e ulët deri në 4 Maj sepse në një mënyrë apo tjetër imunizimi i popullsisë do të vijë. Kur vijmë në një përqindje që thuhet se mund të lëvizet lirshëm mund të jetë drejt verës patjetër”./tvklan.al