Kreu i Urgjencës përjashton mundësinë e izolimit

Përkeqësimi i situatës së koronavirusit dhe rritja e numrit të infektimeve dhe viktimave, e ka kthyer përdorimin e maskave në një domosdoshmëri. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në një intervistë për Televizionin Klan shprehet se me hapjen e transportit publik, përdorimi i tyre në ambientet e mbyllura është bërë edhe detyrim ligjor.

“E shohim shumë mirë në të gjitha hapësirat, aty ku zbatohet me përpikmëri, jep rezultate. Do të vlerësohen hap pas hapi të gjitha aktivitetet që janë ato më të rrezikshmet. Në këtë moment unë mendoj është transporti publik dhe klubet e natës”.

Brataj thekson se zbatimi masave antikovid nga vetë qytetarët do të sjellin brenda një kohe të shkurtër reduktimin e ndjeshëm të numrit të të infektuarve.

“Përdorimi i maskës në ambientet e mbyllura, distancimi fizik dhe rregullat e higjienës, po të zbatohen me rigorozitet, brenda 3 javësh jo vetëm që do ta përgjysmonin, por do ta përmirësonin akoma më shumë mospërhapjen e infeksionit në popullatë”.

Pavarësisht përkeqësimit të situatës, Brataj shprehet se deri më tani nuk ekziston një plan për rikthimin e vendit në izolim apo karantinim.

Tv Klan