Brazili dërgon ushtrinë për të vendosur nën kontroll zjarret në Amazonë

Brazili dërgon ushtrinë për të vendosur nën kontroll zjarret në Amazonë

11:52 24/08/2019

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro ka dërguar forcat e armatosura që të ndihmojnë për të luftuar me zjarret në pyllin e Amazonës. Për shkak të kritikave nga ndërkombëtarët dhe sipërfaqes së madhe pyjore të shkatërruar nga zjarri, që ende po përparon, Presidenti brazilian u detyrua të ndërmerrte këtë veprim.

Disa shtete kishin kërcënuar se do godisnin ekonominë e Brazilit nëse Presidenti Bolsonaro nuk ndërmerrte asnjë masë për të ndalur zjarret në atë që konsiderohet si “mushkëria e botës”. Franca dhe Irlanda paralajmëruan se nuk do të ratifikonin marrëveshjet tregtare me vendet e Amerikës së Jugut. Kurse ministri finlandez i Financave i bëri thirrje BE-së që të marrë në konsideratë ndalimin e importit të mishit të viçit nga Brazili.

Zjarret në Amazonë mendohet se janë shkaktuar me qëllim, për shkak të politikave favorizuese që Presidenti Bolsonaro ka ndjekur ndaj fermerëve. Këta të fundit, me qëllim për të përfituar sa më shumë duke pasur më tepër tokë në dispozicion, dyshohet të jenë shkaktarë të vendosjes së zjarreve, që tashmë kanë dalë nga kontrolli, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për florën dhe faunën. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT