Klubi e konfirmoi pas reagimeve te shumta

Një reagim masiv në rrjete sociale dhe në opinionin sportiv shkodran shtuar kësaj edhe kërkesa e lojtarëve të Vllaznisë, janë faktorët që mbajnë Thomas Brdaric në drejtimin e skuadrës. Pas 4 orë mbledhjeje mbrëmjen e së premtes, dhe takime edhe paraditen e së shtunës, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi sponsori Alban Xhaferi drejtori teknik Matko Djarmati vendosën për vazhdimin e bashkëpunimit me Brdaric.

E gjitha vjen në respekt të punës së bërë deri tani nga tekniku gjerman, i cili konsiderohet si arkitekti i rezultateve të mira të Vllaznisë të arritura me lojtarë të një niveli mesatar. Tv klan ka mësuar nga burime brenda takimit mes palëve se konkluzioni i këtyre takimeve është se I gjithë stafi teknik i skuadrës ka bërë të mundur që nga këta lojtarë të merret maksimumi i mundshëm. Rezultatet e çuan skuadrën shkodrane që të kryesonte sezonin për disa javë me radhë. Shija e hidhur e ndeshjeve të fundit mbetet ende mes tifozërisë drejtuesve dhe vetë skuadrës, por puna e bërë deri më tani nuk mund të hidhet poshtë.

Një zë i fortë kanë qenë vetë futbollistët që kanë shprehur dëshirën e tyre për të vazhduar punën nën drejtimin e Brdaric. Lojtarët dhe vetë drejtuesit e ekipit kanë marrë përgjegjësinë për rezultatet e fundit madje kanë shprehur bindjen se Vllaznia do të rikthehet të rivalizojë fort për titullin kampion.

Një ditë më parë pas humbjes me Bylisin, në Shkodër qarkulloi lajmi se Brdaric u shkarkua. Reagimi pritet që në ndeshjen e Kupës kundër Korabit, takim që do të luhet të mërkurën më 17 Mars

Tv Klan