Kryeministri i vendit Edi Rama, në një takim që po zhvillon me qytetarët në Burrel, është ndalur edhe tek rruga e Arbrit, për të cilën u shpreh se ka shkurtuar ndjeshëm distancën me Tiranën.

Ky investim sipas Ramës ka shtuar interesin për të vizituar zonën. Rama nuk kurseu batutat, teksa tha se me përfundimin total të rrugës së Arbrit, ata do t’i kursejnë për disa kohë spicat.

“Është kënaqësi të vish këtu. Më vjen mirë që tanimë edhe tuneli kokëfortë i Murrizit u dorëzua dhe për pak ditë do të mbyllim edhe segmentin e fundit të mbetur Maqellarë-Peshkopi sepse megjithëse këtu në Mat më kanë thënë mos u lodh kot se dibranëve aty lart nuk ua mbyll gojën kurrë, por kur t’ua çojmë rrugën e Arbrit deri te hoteli i Astritit ma ha mendja që për ca kohë do na i kursejnë nga spicat e tyre.

Kënaqësi edhe për një arsye tjetër se ky qytet nuk njihet më në krahasim me çfarë ishte përpara sesa ne të merrnim besimin e popullit të Matit, dhe realisht me rrugën e Arbrit, një lidhje e shkurtër me Tiranën me transformimet në qytet dhe natyrën e jashtëzakonshme që ka përreth nuk është e ekzagjeruar që të imagjinosh që në 5-6 vjet, kjo zonë do të jetë një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit. Duket si fantazi, por nuk është fare.

Do të ishte realisht e pamundur ta imagjinonim një gjë të tillë me rrugën e deridjeshme ku të thyeshin brinjët për të ardhur deri këtu, por sot është normale ta mendosh sepse faktikisht distanca është bërë thuajse e barabartë me Durrësin kur ka trafik. Durrësi ka detin, kjo zonë ka malet dhe pyjet e mahnitshme. Kështu që unë jua them miqve të mi nga Dibra, blini ça të mundeni sot se nesër s’do të blini dot. Jam i bindur që që tani kanë filluar të ndihen efektet në vlerën e apartamenteve. Nuk kam pyetur ,por jam i bindur që kanë nisur që tani të ndihen efektet edhe këtu edhe në Peshkopi”, theksoi Rama.

/tvklan.al