Brenda dy javësh do të jetë i disponueshëm testi që mund të sqarojë dilemën nëse je shëruar nga Covid-19. Ky test do të bëjë të mundur të dallohet nëse janë aktivizuar antitrupat në organizmin e njeriut.

Është i thjeshtë me një analizë gjaku, rezultatet janë gati në vetëm një orë për të marrë përgjigjen dhe është krijuar nga multinacionalja DiaSorin, pas disa javësh kërkime në Poliklinikën San Matteo të Pavias. Gjaku i pacientit futet në një pajisje që më pas e venë në kontakt me një fragment proteinik sintetik të koronavirusit Sars-CoV-2.

Nëse në kampionin e gjakut janë prezentë antitrupat neutralizues, ata lidhen me proteinën sintetike, duke prodhuar një sinjal të ndritshëm. Sipas Corriere, ky lloj testimi mund të aprovohet brenda 14 ditësh, për t’u shpërndarë më pas nëpër qendra spitalore.

Kjo analizë është mjaft e rëndësishme, thonë mjekët, pasi do të shërbeje jo vetëm për certifikimin se kush tashmë është imun ndaj koronavirusit, por edhe kush është shëruar nga Covid-19.

Gjithashtu kjo analizë në bazë të sasisë dhe tipologjisë së antitrupave, do të ndihmojë që të merren informacione edhe mbi forcën dhe zgjatjen e virusit në organizëm dhe mbi të qenit ende burim infeksioni për të tjerët.

Nga statistikat e deritanishme, ka mjaft paqartësi dhe prova kontradiktore se sa kohë pas shërimit një pacient mund të jetë ende aktiv për të infektuar. Kjo pasi ka patur raste që tamponët kanë dalë negativë, por në ripërsëritje të tyre pacientët kanë rezultuar sërish pozitiv.

Klan Plus