Shtohen edhe 50 shtretër në Covid 3, brenda javës hapet Covid 4



Shtohen edhe 50 shtretër në Covid 3, brenda javës hapet Covid 4

12:30 22/11/2020

QSUT: Ka ende vende të lira, nuk ka vend për panik

Për shkak të numrit të lartë të të infektuarve dhe atyre që kanë nevojë për shërbim mjekësor, është hapur edhe pavijoni i fundit i spitalit Covid 3, i cili ka në dispozicion 50 shtretër.

Nga spitali Covid 3 që ka në total 150 shtretër, nëndrejtoresha e QSUT-së Arjana Strakosha thotë se ka ende vende të lira për trajtimin e pacientëve.

“Sikurse e shihni kemi kapacitete shtretërish të lirë për t’u shërbyer qytetarëve. Në gjendje të gatshme për të pritur të gjitha llojet e stadeve të sëmundjeve, me investimet përkatëse”, tha ajo.

Burime për Tv Klan bën me dije se shumë shpejt, brenda pak ditësh do të hapët edhe spitali Covid 4. Ky spital ka në dispozcion 100 shtretër.

Covid 4 pritet të hapet brenda javës dhe do të administrohet nga QSUT.  Në rrjete sociale mjekë të Urgjencës Kombëtare kanë apeluar që t’u hapeshin dyert e spitaleve, konkretisht ai “Shefqet Ndroqi”, pasi kanë qëndruar mbi tre orë në automabulanca me pacientë me oksigjen. Sipas tyre kjo pritje vjen për shkak se nuk ka vende të lira në spital. Përgjigjen e dha nëndrejtoresha e QSUT.

“Alarmi që janë pakësuar kapacitetet spitalore, për momentin apo deri në skenarët aktualë nuk është i vërtetë”.

Në strategjinë për dimrin të Ministrisë së Shëndetësisë, në rast se të 4 spitalet në total me 550 shtretër mbushen me pacientë, atëherë do të hapen 5 spitale rajonalë.

E njëjta strategji do të vijojë edhe më pas me 6 spitale të tjerë rajonale. Ekspertët e shohin me shqetësim periudhën e dimrit pasi sipas tyre numrat e të infektuarve priten të rriten sërish.

Tv Klan




Të ngjashme